Xhudistja kosovare Flaka Loxha ka fituar medaljen e bronztë në turneun prestigjioz European Open Sarajevo 2025, duke vazhduar traditën e sukseseve të xhudos kosovare në arenën ndërkombëtare.
Në kategorinë e saj, Flaka e nisi garën me fitore bindëse ndaj xhudistes turke Aysenur Karadag, të cilën e mposhti me Ippon. Në çerekfinale, ajo u përball me britaniken e njohur Chelsie Giles, por u mposht me Ippon.
Në sfidën e repasazhit, Loxha u rikthye fuqishëm duke eliminuar një tjetër britanike, Lanina Solley, gjithashtu me Ippon, duke siguruar kështu të drejtën për të luftuar për medaljen e bronztë.
Finalja e vogël solli një përballje tërësisht kosovare: Flaka Loxha përballë Fatjona Kasapit. Pas një ndeshjeje të fortë dhe të barabartë, dueli u vendos në vazhdime, ku Flaka doli fituese me rezultat të ngushtë, duke siguruar medaljen e bronztë.
Ky është një tjetër sukses i rëndësishëm për ekipin e xhudos së Kosovës, që vazhdon të dëshmojë nivel të lartë konkurrues në garat evropiane.