Kosova U17 femrat ka triumfuar me rezultat të thellë ndaj Azerbajxhanit – përplasja me Uellsin vendimtare për kreun e grupit!

Kombëtarja e Kosovës U17 në konkurrencën e vajzave ka vazhduar ecurinë mbresëlënëse në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2026, duke shënuar fitoren e dytë radhazi në Grupin B të Ligës B. Në ndeshjen e zhvilluar në Moldavi, vajzat dardane, të udhëhequra nga përzgjedhësja Sanije Krasniqi, dominuan bindshëm Azerbajxhanin me rezultat 6:0.

Kosova e diktoi ritmin dhe kontrollin e lojës që nga minuta e parë, duke krijuar një sërë rastesh dhe duke u treguar tejet efikase para portës. Golat për fitoren e thellë i realizuan: Anisa Meha (8’, 57’ – penallti), Reina Halili, Jonida Godeni (33’), Krenare Kelmendi (34’) dhe Ema Maliqi (48’).

Pas ndeshjes, përzgjedhësja Krasniqi u shpreh shumë e kënaqur me paraqitjen e skuadrës:
“Ishte një ndeshje e shkëlqyer në të gjitha aspektet. Dominuam plotësisht dhe menaxhuam lojën me pjekuri. Vajzat reaguan në mënyrën më të mirë të mundshme pas sfidës me Moldavinë, ku ishim më pak efikase. Sot patëm disiplinë, qartësi dhe vendosmëri. Jam veçanërisht e kënaqur që të gjitha vajzat patën mundësi të kontribuojnë,” theksoi Krasniqi.

Ndërkohë, protagonistja e ndeshjes, Anisa Meha – autore e dy golave – theksoi rëndësinë e frymës ekipore:
“Luftuam me zemër për njëra-tjetrën dhe ia dolëm të arrijmë një rezultat të madh. Jam e lumtur për golat e mi, por më shumë për mënyrën si funksionoi ekipi. Ishim më të qeta dhe të sakta para portës. Besoj se ndaj Uellsit do të japim gjithçka për ta përmbyllur këtë fazë me një tjetër fitore”, u shpreh Meha.

Kosova do të përballet me Uellsin në ndeshjen e fundit të grupit, e cila pritet të vendosë përfundimisht se cila nga këto dy përfaqësuese do të zërë vendin e parë dhe të sigurojë kualifikimin në raundin e ardhshëm.