Jurgen Uldedaj shpallet kampion bote në versionin IBO: „Ëndrra u bë realitet – sot shkruam histori për Shqipërinë“

Jurgen Uldedaj

Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj ka arritur majën e karrierës së tij, duke u shpallur Kampion i Botës në versionin IBO për peshën Cruiserweight, pas një performance mbresëlënëse në arenën O2 të Londrës.

Në një duel të fortë ndaj kamerunasit Rolly Lambert Fogoum, Uldedaj dominoi për 12 raunde të plota dhe u shpall fitues me vendim unanim të gjyqtarëve, me rezultatet 120-108, 119-109 dhe 118-110, duke treguar epërsi të qartë teknike dhe fizike ndaj kundërshtarit.

Ky sukses historik e bën 27-vjeçarin nga Lezha kampion bote në IBO, një arritje e rrallë për boksin shqiptar, që e vendos emrin e tij në mesin e më të mirëve të botës.
Uldedaj hyri në këtë përballje me një rekord prej 20 fitoreve dhe vetëm 1 humbje, ndërsa Fogoum kishte 18 fitore, 3 humbje dhe 1 barazim.

Jurgen Uldedaj
Jurgen Uldedaj

Pas fitores, kampioni shqiptar dha një deklaratë të mbushur me emocione, duke ndarë me publikun ndjenjat e këtij momenti historik:

“Sot është dita që kam ëndërruar gjithë jetën time”, – u shpreh Uldedaj. – “Pas shumë viteve sakrifice, mundi dhe besimi në Zot, më në fund e arrita këtë titull. Kjo fitore është për Shqipërinë, për familjen time dhe për të gjithë ata që më kanë mbështetur në këtë rrugëtim.”

Ai theksoi se ky sukses nuk është vetëm personal, por i të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen:

“Ky titull është për ata që besuan tek unë, që më mbështetën, dhe për çdo djalë apo vajzë që ka një ëndërr – asgjë nuk është e pamundur nëse nuk dorëzohesh.”

Në fund, kampioni falënderoi ekipin e tij, trajnerët dhe familjen për mbështetjen e vazhdueshme, duke e mbyllur me fjalët që po qarkullojnë sot kudo në rrjetet sociale:

“Sot shkruam histori për Shqipërinë!”

Me këtë fitore, Jurgen Uldedaj jo vetëm që ngjitet në majat e boksit botëror, por edhe frymëzon një brez të ri sportistësh shqiptarë që ëndërrojnë të arrijnë lavdinë përmes punës dhe përkushtimit.