Peja dhe Fer Volley ruajnë kreun, Theranda fiton thellë ndaj Vëllaznimit

KVF Fer Volley

Xhiroja e shtatë në Raiffeisen Superligën A të volejbollit solli fitore të pastra për skuadrat pretendente, me Pejën dhe Fer Volley që konfirmuan dominimin e tyre, ndërsa Golden Eagle Theranda shënoi një triumf të thellë.

Te meshkujt, Peja mposhti bindshëm Prishtinën me rezultat 3:0 (25-18, 25-20, 25-17), duke kontrolluar plotësisht takimin dhe duke ruajtur pozitën e parë në renditje. Skuadra pejane vazhdon serinë pozitive dhe formën e lartë në garën për titull.

Në një tjetër përballje, Golden Eagle Theranda dominoi ndaj Vëllaznimit me shifrat 3:0 (25-16, 25-12, 25-9). Therandasit nuk e vunë në asnjë moment në diskutim fitoren, ndërsa Vëllaznimi mbetet pa fitore edhe pas javës së shtatë.

Ndërkohë, në konkurrencën e femrave, kampionet në fuqi Fer Volley vazhduan serinë e pamposhtur, duke mposhtur Prishtinën ’75 me 3:0 (25-16, 25-18, 26-24). Edhe pse seti i tretë ishte më i luftuar, përvoja e vajzave nga Ferizaj bëri diferencën dhe e vulosi fitoren që i mban në krye të tabelës.