Kosova e femrave mposhtet thellë nga Turqia, ndeshja e kthimit në Izmir me pak shpresa

Kombëtarja e femrave të Kosovës ka pësuar një disfatë të thellë ndaj Turqisë, në sfidën e parë të vlefshme për play-offin e Ligës së Kombeve.

Nën drejtimin e selektorit Sami Sërmaxhaj, vajzat dardane nuk arritën të përballojnë përvojën dhe intensitetin e kundërshtares.

Turqia e mbylli pjesën e parë në avantazh të trefishtë. Kader Hançar shënoi dy gola të shpejtë në minutat 5 dhe 10, duke i dhënë epërsi të hershme ekipit të saj. Melike Pekel e thelloi rezultatin në minutën e 23-të, duke vulosur një pjesë të parë dominuese për turket.

Në pjesën e dytë, pavarësisht përpjekjeve të Kosovës për të rikuperuar, ishte Busem Şeker ajo që vulosi fatin e ndeshjes në minutën e 81-të, duke e çuar rezultatin në 4-0.

Sfida e kthimit, që do të zhvillohet pas katër ditësh në Izmir, pritet të jetë vetëm një formalitet për përfaqësuesen turke, e cila tashmë ka një përparësi të sigurt.

Foto: TFF