Kombëtarja e femrave të Kosovës është gati për sfidën e parë të “play-off”-it ndaj Turqisë, që do të zhvillohet sot në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 17:00. Kjo ndeshje, e vlefshme për Ligën e Kombeve, do të jetë vendimtare për fatin e “Dardaneve” në edicionin e ardhshëm të garave – në lojë është qëndrimi në Ligën B ose rënia në Ligën C.

Përzgjedhësi Sami Sermaxhaj vlerëson maksimalisht sfidën ndaj një kundërshtari të njohur si Turqia, por shpreh besim në përgatitjet dhe angazhimin e skuadrës:
“Analizat tona janë të detajuara, kemi studiuar çdo aspekt të lojës së tyre. Do të synojmë të jemi sulmues, të krijojmë raste dhe të jemi konkretë në finalizim. Plani është i qartë si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Pres fokus dhe përkushtim 100% nga vajzat.”
Kapitenia Erëleta Memeti rikujton se përballja me Turqinë është e njohur për disa lojtare, pasi shumë prej tyre luajnë në ligën turke:
“Turqia ka mbetur me një bërthamë të ngjashme nga viti 2019. I njohim mirë si ekip – janë të forta fizikisht dhe të rrezikshme në kundërsulm, por ne kemi përgatitur një plan për t’u përballur denjësisht.”
Njëra prej lojtareve me përvojë në futbollin turk, Kaltrina Biqkaj, e cilëson këtë përballje si të veçantë dhe emocionale:
“Përballja me bashkëlojtaret e mia të klubit është një sfidë e veçantë. E dimë çfarë peshe ka kjo ndeshje – vendoset qëndrimi në Ligën B. Jemi përgatitur seriozisht gjatë gjithë javës dhe besoj se do të tregojmë veten në fushë.”
Futbollistet i kanë bërë thirrje tifozëve që të jenë prezentë në numër sa më të madh në “Fadil Vokrri”, për t’i dhënë ekipit motivimin e shtuar drejt një rezultati pozitiv. Hyrja për ndeshjen është falas, një arsye më shumë për të mbështetur vajzat e Kosovës në këtë duel jetik.
