Superliga e Kosovës në hendboll vazhdon të ofrojë emocione të mëdha dhe ndeshje dramatike. Të mërkurën mbrëma, dy duele në konkurrencën e meshkujve dhe femrave prodhuan spektakël dhe fitore të rëndësishme për ekipet pretendente.
Vëllaznimi triumfon në sekondat e fundit ndaj Prishtinës
Në ndeshjen hapëse të javës së gjashtë në konkurrencën e meshkujve, Vëllaznimi i Gjakovës shënoi një fitore dramatike ndaj Prishtinës, me rezultat të ngushtë 39:38. Përballja u zhvillua në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë dhe u vendos vetëm në sekondat e fundit, kur Ardi Halili shënoi golin e fitores.
Minutat e fundit ishin jashtëzakonisht të tensionuara. Në të 59-tën, rezultati ishte i barabartë 37:37. Albi Gjuka i dha epërsinë Prishtinës me një gol (38:37), por Florian Rexha barazoi sërish. Më pas, Halili realizoi golin vendimtar, duke vulosur triumfin për gjakovarët.
Halili shkëlqeu me 10 gola, ndërsa mbështetjen më të madhe e pati nga Luigj Kolaj (9 gola), Florian Rexha (7) dhe Çlirim Rama (5). Te Prishtina, performancë e lartë e Enis Kuletës dhe Albi Gjukës me nga 12 gola, si dhe e Ylli Visokës me 7.
Pas kësaj fitoreje, Vëllaznimi renditet i dyti në tabelë me katër fitore dhe një humbje, që i sjellin 8 pikë. Prishtina, në anën tjetër, mbetet me një fitore dhe regjistron humbjen e tretë.

Tereza fiton bindshëm në Pejë ndaj Besës
Në konkurrencën e femrave, Tereza e Obiliqit nuk lejoi surpriza dhe mposhti bindshëm Besën në palestrën “Karagaçi” të Pejës me rezultat 42:32, në ndeshjen e parë të javës së katërt.
Ekipi i Terezës dominoi gjatë gjithë takimit, duke ndërtuar epërsi të sigurt që në pjesën e parë. Tamara Aragon ishte protagoniste me 11 gola, ndërsa Arjeta Imeraj realizoi 7. Kontribut të vlefshëm dhanë edhe Orgesa Gola dhe Melike Ipçi me nga 6 gola secila.
Pavarësisht përpjekjeve, Besës nuk i mjaftuan 10 golat e Samanda Konjuhajt dhe 9 të Edona Radoniqit për të shmangur humbjen e katërt radhazi.
Pas kësaj fitoreje, Tereza ngjitet në kuotën e dy fitoreve dhe një humbjeje, duke forcuar pozitat e saj në tabelë.
Superliga vazhdon me duele të tjera gjatë fundjavës, ku priten ndeshje të tjera të forta dhe rivalitet i lartë në të dyja konkurrencat.