Atalanta dhe Monaco ndalen në barazim pa gola, portierët protagonistë absolutë – pa gola edhe në Monaco – Tottenham

Atalanta - Slavia

Në një mbrëmje ku portierët shkëlqyen, Atalanta dhe Monaco nuk arritën të shënonin, duke u ndalur në barazime pa gola përballë Slavia Pragës dhe Tottenhamit përkatësisht, në kuadër të ndeshjeve të fazës së grupeve të UEFA Champions League.

Atalanta – Slavia Pragë, “La Dea” përplaset me murin çek

Atalanta u përball me një Slavia Pragë të disiplinuar dhe rezistente, duke mos arritur të gjejë rrugën drejt rrjetës në Bergamo. Sfida përfundoi 0-0, dhe ishte vetëm hera e dytë në 11 ndeshje në tokën italiane që skuadra çeke nuk pësoi humbje.

Ndeshja nisi me intensitet, me të dyja skuadrat që kërkuan të krijonin rest. Nikola Krstović dhe Charles De Ketelaere patën disa mundësi të mira për Atalantën, por portieri i Slavia-s, Jakub Markovič, u shfaq i pakalueshëm. Nga ana tjetër, Slavia kërcënoi me David Moses dhe Lukáš Provod, që e detyruan portierin Carnesecchi të ndërhynte vendimtar.

Në pjesën e dytë, Atalanta intensifikoi presionin, por fati dhe mbrojtja çeke i mohuan golin. Gianluca Scamacca humbi një rast të artë me kokë, ndërsa De Ketelaere dhe Sulemana nuk ishin të saktë në finalizim. Me këtë rezultat, Atalanta mbetet në kuotën e katër pikëve, ndërsa Slavia regjistron barazimin e dytë në tre ndeshje.

Monaco – Tottenham, Vicario bllokon “Monégasques”

Ndërkohë në një tjetër barazim 0-0, Monaco nuk arriti të çante portën e Tottenhamit, falë një performance të jashtëzakonshme nga portieri Guglielmo Vicario, i cili u shpall edhe lojtari më i mirë i ndeshjes.

Monaco dominoi në pjesën më të madhe të lojës, duke krijuar mbi 20 raste, por u përball vazhdimisht me pritjet vendimtare të Vicarios. Folarin Balogun kishte disa mundësi ideale për të shënuar, por italianin nuk e kaloi dot as nga afër dhe as me goditje nga distanca.

Në pjesën e dytë, Maghnes Akliouche dhe Aleksandr Golovin kërcënuan seriozisht, por portieri i Spurs-ave reagoi në çdo moment me siguri dhe refleks të lartë. Një pritje spektakolare në fund të ndeshjes ndaj Jordan Teze ruajti rrjetën të paprekur.

Pavarësisht lojës dominuese, skuadra e drejtuar nga Pocognoli nuk arriti të marrë fitoren e parë në Champions, duke regjistruar barazimin e dytë radhazi, pas humbjes në javën e parë. Tottenham, në anën tjetër, mbetet i pamposhtur me një fitore dhe dy barazime.