KB Trepça gati për sfidën ndaj Basketball Löwen Braunschweig

Torcida - Trepça

KB Trepça gati për sfidën ndaj Basketball Löwen Braunschweig: Atmosferë e zjarrtë pritet nesër në „Minatori“.

KB Trepça
KB Trepça

Nesër është dita. Në orën 18:30, palestra „Minatori“ në Mitrovicë do të jetë skena e një përballjeje në kuadër të FIBA Europe Cup, ku KB Trepça do të përballet me skuadrën gjermane Basketball Löwen Braunschweig.

Përgatitjet janë në kulm: ndriçimi i ri në palestër, ekipi plotësisht i mobilizuar dhe një atmosferë elektrizuese që pritet ta pushtojë qytetin. Një mbrëmje e madhe basketbolli është në horizont – dhe gjithçka është gati, ka ftuar klubi kampion i Kosovës.

Biletat në shitje nga ora 12:00

Tifozët e Trepçës dhe adhuruesit e basketbollit kosovar do të kenë mundësinë të sigurojnë biletat nga ora 12:00 të ditës së mërkurë në Fan Shopin zyrtar të klubit. Interesimi është i madh dhe pritet një prani masive në tribunat e „Minatorit“.

Basketball Löwen Braunschweig1
Basketball Löwen Braunschweig1

Kush janë Basketball Löwen Braunschweig?

Basketball Löwen Braunschweig është një skuadër nga qyteti Braunschweig e cila garon në elitën e basketbollit gjerman – Basketball Bundesliga. Klubi u themelua si entitet i pavarur në fillim të viteve 2000 dhe, ndonëse ka kaluar periudha të vështira, përfshirë ristrukturime dhe sfida financiare, sot është një ekip stabil dhe i respektuar.

Një nga momentet më të rëndësishme në historinë e tyre është ardhja e ish-yllit të NBA-së, Dennis Schröder, si aksioner dhe mbështetës kryesor i klubit. Falë investimeve të tij, Braunschweig ka përmirësuar infrastrukturën dhe ambiciet, duke synuar pozita të larta në basketbollin gjerman dhe më gjerë. Në edicionin e ri kanë pësuar katër humbje në kampionat, por kanë mposhtur Anwilin polak në xhiron e parë të FIBA Europa Cup.

Basketball Löwen Braunschweig1
Basketball Löwen Braunschweig1

Përballja: më shumë se lojë

Löwen Braunschweig vjen në Kosovë si një ekip me përvojë të konsiderueshme në garat ndërkombëtare dhe me organizim të lartë në çdo aspekt.

Për Trepça kjo është një mundësi unike për të matur forcat me një ekip të kalibrit të lartë dhe për të dëshmuar rritjen e basketbollit kosovar në arenën evropiane. Lojtarët dhe stafi janë të vetëdijshëm se çdo gabim mund të kushtojë, por edhe se një performancë e mirë mund të hapë dyer të reja dhe të ngrisë reputacionin e klubit në nivel ndërkombëtar. Sidomos pas një paraqitje dinjitoze kundër PAOK-ut, „xehtarët“ janë në kërkim të fitores së parë evropiane këtë edicion.

Nesër të gjithë në „Minatori“! Përkrahja juaj është arma më e fortë që ka Trepça. Le ta mbështesim skuadrën drejt një nate historike për basketbollin tonë! – është thirrja e Trepçës.