Qeveria e Arabisë Saudite ka vendosur të shpërblejë bujarisht kombëtaren e saj pas kualifikimit historik në Kupën e Botës 2026.
Sipas njoftimit zyrtar nga Ministri i Sportit, Abdulaziz bin Turki Al-Faisal, secili futbollist dhe anëtar i stafit teknik do të përfitojë nga 5 milionë rialë sauditë – rreth 1.15 milionë euro – si shpërblim për suksesin në eliminatoret aziatike.
Arabia Saudite siguroi pjesëmarrjen në Botëror pas barazimit pa gola ndaj Irakut, një rezultat që mjaftoi për ta vulosur vendin në fazën finale të turneut.
Ky është kualifikimi i tretë radhazi i “Jeshilëve” në Kupën e Botës, një dëshmi e konsolidimit të projektit futbollistik që vendi ka ndërtuar me investime të mëdha në dekadën e fundit.

Ministri Al-Faisal deklaroi se pagesat do të kryhen brenda 30 ditëve nga përfundimi i kualifikimeve, duke e cilësuar këtë vendim si një mënyrë për të motivuar lojtarët që të përfaqësojnë me dinjitet Arabinë Saudite në Botërorin që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Ky veprim nënvizon edhe një herë synimin e qartë të shtetit saudit për ta bërë futbollin një nga shtyllat kryesore të vizionit të tij sportiv dhe kombëtar.
Ndërkohë, përfaqësuesja saudite ka nisur tashmë përgatitjet për fazën finale të Botërorit, me synimin për të kaluar grupin dhe për të përsëritur momentet historike të Katar 2022, kur tronditi botën duke mposhtur Argjentinën.