Shiten të gjitha biletat: Sllovenia pret Kosovën me stadiumin e mbushur plot

Sllovenia

Federata e Futbollit e Sllovenisë njoftoi të hënën se të gjitha biletat për ndeshjen ndaj Kosovës janë shitur.

Më 15 nëntor, “Dardanët” luajnë si mysafirë në Slloveni, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

“Biletat për ndeshjen mes Sllovenisë dhe Kosovës janë shitur. Më pak se një muaj para ndeshjes kualifikuese, nuk ka më biletë në dispozicion”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Sllovenisë.

Sipas federatës, hyrja në stadium do të jetë e mundur vetëm me simbolet e Sllovenisë dhe të ekipit përfaqësues slloven, përjashtim bëjnë tribunat ku do të vendosen tifozët e Kosovës.

Dy xhiro para fundit, Zvicra udhëheq Grupin B me 10 pikë, ndërsa Kosova ndodhet e dyta me shtatë pikë. Pasojnë Sllovenia me tri dhe Suedia me një pikë. Vendi i parë siguron kualifikimin direkt në Botëror, ndërsa i dyti shkon në plejof.

Më 18 nëntor, Kosova e pret Zvicrën në “Fadil Vokrri”.