Rrahmani: Ndeshjet e Kosovës i kam ndjekur me frikë dhe ankth të jashtëzakonshëm

Amir Rrahmani

Amir Rrahmani ka munguar për tri ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026, për shkak të një lëndimi të pësuar në duelin me Zvicrën.

Kosova fitoi dy herë ndaj suedezëve dhe barazoi pa gola me Slloveninë. Ai ka munguar edhe në gjashtë ndeshje të Napolit, por ka ndjekur të gjitha ndeshjet e klubit dhe të kombëtares.

“Tani mund ta them – ankth i jashtëzakonshëm. Kur familjarët e mi më thoshin se ishin të emocionuar që më shihnin duke luajtur, nuk mund ta besoja, nuk mund ta kuptoja ndërsa luaja. Por tani i kuptoj ata në mënyrë të përkryer sepse vuaj kur jam në tribuna dhe akoma më keq kur i shoh shokët e mi të ekipit në televizor duke luajtur“.

„Ekziston një emocion shumë i fortë, një frikë dhe ankth që nuk mund ta shpjegosh. Më ndodh si për Napolin ashtu edhe për ekipin tim kombëtar, Kosovën. Kur je në fushë, nuk mendon për këto gjëra sepse je i përqendruar në lojë, mendon për gjëra të tjera. Por kur nuk luan, e përjeton si një tifoz i flaktë. Janë emocione të ndryshme, por sigurisht pothuajse po aq intensive”, ka thënë Rrahmani për mediumin lokal të Napolit “Cronache di Napoli”.

Ai nuk e di nëse do të luajë në derbin kundër Interit më 25 tetor, por po punon për t’u rikthyer sa më shpejt dhe pa rrezikuar:

“Ndihem më mirë dhe po punoj për t’u rikthyer sa më shpejt të jetë e mundur. Ende nuk e dimë se në cilën ndeshje do të jem në gjendje të kthehem, por duhet të jemi të përgatitur dhe, mbi të gjitha, të mos rrezikojmë asgjë. Kam qenë jashtë për një kohë të gjatë, kështu që duhet t’i marrim gjërat ngadalë. Dhe nuk ka rëndësi se në cilën ndeshje, por që të kthehem sa më shpejt të jetë e mundur dhe, mbi të gjitha, të jem i sigurt në fushë”.