Skuadra e Dritës po vazhdon dominimin në fillim të edicionit të Raiffeisen Superligës A, duke shënuar fitoren e katërt rresht me triumfin 3:0 ndaj Vëllaznimit. Në ndeshjet e tjera të xhiros së katërt, Peja konfirmoi formën e mirë me një tjetër fitore të pastër 3:0 kundër Golden Eagle Therandës, ndërsa Luboteni regjistroi suksesin e parë të sezonit duke përmbysur Prishtinën me rezultat 3:1. Kështu, gara në elitën e volejbollit kosovar po bëhet gjithnjë e më e zjarrtë pas katër javësh lojë. Ferizaj – Skënderbu zhvillohet sot nga ora 18:00.
Drita nuk ndalet — fitorja e katërt rresht
Drita 3:0 Vëllaznimi
Setet: 25:17, 25:7, 25:17
Skuadra e Dritës nga Gjilani po vazhdon marshin e saj triumfues në fillim të kampionatit, duke shënuar fitoren e katërt rresht dhe duke mbetur në krye të tabelës së Raiffeisen Superligës A.
Gjilanasit dominuan në të gjitha aspektet e lojës ndaj Vëllaznimit nga Gjakova, duke fituar bindshëm me rezultat të pastër 3:0.
Në anën tjetër, gjakovarët ende nuk kanë arritur të grumbullojnë pikët e para pas rikthimit në elitën e volejbollit kosovar.
Vendi i zhvillimit: Pallati i Sporteve “Ilaz Kodra”, Skënderaj
“Shqiponjat” fluturojnë drejt fitores së tretë
Peja 3:0 Golden Eagle Theranda
Setet: 25:22, 25:19, 25:19
Skuadra e Pejës ka regjistruar fitoren e tretë në katër ndeshje të këtij edicioni, duke dëshmuar formë të qëndrueshme dhe ambicie për pozitat e para në kampionat.
Golden Eagle Theranda, ndonëse pati momente të mira gjatë lojës, nuk arriti të ndalte ritmin e lartë të “shqiponjave” në palestrën e tyre.
Vendi i zhvillimit: Palestra Sportive, Loxhë – Pejë
Luboteni me fitoren e parë në këtë edicion
Prishtina 1:3 Luboteni
Setet: 25:21, 22:25, 18:25, 16:25
Pas tri javësh pa fitore, skuadra e Lubotenit nga Ferizaj më në fund e ka gjetur rrugën e suksesit në Raiffeisen Superligën A, duke triumfuar si mysafire ndaj Prishtinës.
Vendasit e nisën mirë ndeshjen duke fituar setin e parë, por ferizajasit reaguan fuqishëm në tre setet pasuese, për ta përmbysur rezultatin dhe siguruar fitoren e parë të sezonit.
Vendi i zhvillimit: Pallati i Rinisë dhe i Sporteve, Prishtinë