Bashkimi fiton miqësoren ndaj Llapit në Podujevë – Rexhepi dhe Saiti vendosin fatin e ndeshjes

Llapi - Bashkimi

Bashkimi  nga Kumanova ka shënuar fitore në ndeshjen miqësore ndaj Llapit, të zhvilluar në Podujevë, me rezultat 2:1.

Për skuadrën nga Maqedonia e Veriut realizuan Samet Rexhepi dhe Hebib Saiti, duke vulosur një triumf të vlefshëm në prag të rifillimit të garave zyrtare.

Golin e vetëm për Llapin e shënoi kapiteni Axel Gnapi në pjesën e parë, e cila u mbyll me rezultat të barabartë 1:1.

Kjo përballje u organizua në kuadër të pauzës ndërkombëtare, duke i shërbyer të dy skuadrave për ruajtjen e ritmit dhe testimin e formës së futbollistëve.