Media serbe N1 ka raportuar se përballja e së shtunës në stadiumin “Duboçica” të Leskovcit është cilësuar si ndeshje me rrezik të lartë. Gazetari i Sport Klub, Branko Spasojeviç, tha se megjithëse stadiumi është shumë më i vogël se “Rajko Mitiç”, ndodhet më afër kufirit me Kosovën, gjë që e shton ndjeshëm ndjeshmërinë e situatës.
Sipas tij, biletat nuk kanë qenë në shitje të lirë, por janë shpërndarë përmes Federatës së Futbollit të Serbisë dhe disa strukturave lokale. Megjithatë, ka raportime se një pjesë e tyre janë përpjekur të shiten tek tifozë shqiptarë në Vranjë e Bujanoc. Autoritetet kanë deklaruar se biletat janë të personalizuara dhe askush nuk do të lejohet në stadium pa dokument identifikimi.
Spasojeviç tha gjithashtu se vendimi për të luajtur në Leskovc dhe jo në Beograd nuk është sportiv, por politik. Sipas tij, ndeshja është zhvendosur për të shmangur parulla dhe skandime kundër pushtetit në tribuna.
Gazetari kujtoi se vetë presidenti Aleksandar Vuçiq kishte paralajmëruar që më parë se përballja me Shqipërinë do të zhvillohej në Leskovc, gjë që, sipas tij, e vërteton natyrën politike të vendimit.
Ai shtoi se edhe më herët, për ndeshjen me Anglinë, kishte tentativa që ajo të luhej në të njëjtin stadium, por anglezët e refuzuan me arsyetimin se nuk kishte kushte të përshtatshme për 8 mijë spektatorë.
Gazetari u ndal edhe te incidentet e mëparshme në ndeshjen Serbi–Angli, ku tifozë serbë janë rrahur nga grupe huliganësh për shkak të skandimeve kundër qeverisë, duke e quajtur atë “natën më të errët të futbollit serb”.
Në fund, Spasojeviç tha se, pavarësisht tensioneve, Serbia është favorite për shkak të kualitetit të lojtarëve si Mitrović dhe Vlahović, por se “kjo ndeshje është shumë më tepër se futboll”.