Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është dekoruar me Medaljen e Nderit nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një ceremonie solemne të mbajtur në Prishtinë.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, zëvendëspresidenti i UEFA-s dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ambasadorë të akredituar, futbollistë të Kombëtares, ish-lojtarë të njohur të futbollit kosovar, drejtues klubesh dhe mysafirë të tjerë.

Infantino shprehu mirënjohjen për dekoratën, duke e vlerësuar vizitën si një moment të veçantë. Ai përmendi ish-presidentin e ndjerë të FFK-së, Fadil Vokrri, si një figurë kyçe në zhvillimin e futbollit në Kosovë.
“Është nder dhe kënaqësi e madhe të jem këtu, në shtëpinë time – në Kosovë. Kjo medalje është një vlerësim që ia dedikoj mikut tim të madh, Fadil Vokrrit dhe gjithë popullit të Kosovës”, u shpreh Infantino, duke shtuar se “sot Prishtina është kryeqyteti i botës”.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e investimeve në futbollin vendor dhe inkurajoi mbështetjen për të rinjtë.
Më herët, në Aeroportin Ndërkombëtar „Adem Jashari“, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, së bashku me anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, e priti Infantinon, duke e falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme të FIFA-s ndaj futbollit kosovar.
