Ndryshime të mëdha politike kishin ndodhur në Serbinë e vitit 2014. Në pranverë të vitit 2012, presidenti pro-evropian, Boris Tadiç, kishte shpallur zgjedhjet paraprake, me mendimin se do t’i fitonte ato.
Vazhdim nga pjesa e parë…

Dhe, 12 vite pas rrëzimit të regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe 9 vite pas vrasjes së kryeministrit pro-perëndimor, Zoran Gjingjiqit, në pushtet ishin rikthyer mbetjet e regjimit të Millosheviqit, ultra-nacionalistët e ish-partisë së Sheshelit, Partisë Radikale Serbe. Nën petkun e të moderuarve, Partisë Përparimtare Serbe, me përkrahjen e Perëndimit, me fjalët e dhëna prapa perdeve se do ta „zgjidhnin çështjen e Kosovës“, në pushtet kishte ardhur, së pari si president më 2012, Tomisllav Nikoliq, ndërsa në pranverë të vitit 2014, si kryeministër, presidenti i tanishëm, Aleksandër Vuçiq.
Dominimi i „demokratëve“ në futboll me Partizanin
Nga viti 2007 deri në vitin 2013, Partizani i Beogradit kishte fituar 6 tituj rresht. Kurrë më parë, dhe kurrë më pas kjo nuk kishte ndodhur. Nën pushtetin „demokratik“, federatën e futbollit serb e udhëhiqte Tomisllav Karagjiq. Një partizanovc i deklaruar. C. Zvezda, tifozët e saj dhe opozita nacionaliste, akuzonin pushtetin „demokratik“ se Partizani dominonte falë politikës. Ndërsa, tifozët e Partizanit, në vend që t’i gëzoheshin suksesit që kurrë më nuk do të përsëritej, të cytur nga rrymat ekstreme fashiste nacionaliste edhe të opozitës, „luftonin“ me mediat demokratike pro-pushtetit.
Por, tani kishte ndërruar ora. Zvezdashët kishin kapur pushtetin. Duhej të largohej „Tole“ Karagjiq, që të arrihej qëllimi. Ndryshe nuk bënte. C. Zvezda ishte afër të përmbyste Partizanin. Në fund të edicionit 2013/14 edhe ia kishte dalë të ndalte dominimin e Partizanit pas 6 vitesh. Lufta tjetër ishte rrëzimi i „Tole“-s, kryetarit të Federatës së Futbollit.

Katër vite prapa, 2010, Xhenova – Itali
Tifozët e klubeve më të mëdha në Serbi kishin vite e vite që nuk po ndiqnin më Reprezentacionin e tyre, Serbinë. Deri para 4 vitesh, në Xhenovë të Italisë, më 2010.
Ishte një mbrëmje tetori të vitit 2010, kur u pa i ulur mbi xhamin ndarës të tribunave me një maskë të zezë mbi fytyrë, trupin plot tatuazhe dhe me një prerëse teli në dorë. Atë natë po priste rrjetën që ndante tifozët serbë nga nikoqirët italianë në stadiumin “Luigi Ferraris” në Xhenovë.
Ajo që binte më shumë në sy te ai ishte qetësia me të cilën vepronte. Nuk dukej se kishte frikë nga policia apo ndonjë pasojë, përkundrazi, inkurajonte tifozët e tjerë të përfshiheshin në dhunë, në mënyrë të qartë për të provokuar ndërprerjen e ndeshjes.
Më vonë u zbulua se incidenti ishte planifikuar me kohë. Bogdanov dhe miqtë e tij kishin mbërritur në Xhenovë tre ditë para ndeshjes dhe pak orë para fillimit të saj, kishin arritur në mënyrë misterioze të hipnin në autobusin e kombëtares serbe.
Pas incidentit u shtuan teoritë për atë që fshihej pas këtyre ngjarjeve. Ultrasit serbë, veçanërisht ata që ndjekin Crvena Zvezdën, janë të shumtë dhe të organizuar, por rrallë ndjekin kombëtaren. Edhe kur paraqiten në ndonjë ndeshje, detyrohen të veprojnë si individë dhe të mohojnë përfshirjen e grupeve të tyre. Por në gardhin e stadiumit në Xhenovë, Bogdanov mbante një bluzë me logon e grupit të tij – gjë e pazakontë.
Rivaliteti tradicional mes dy klubeve më të mëdha të vendit u hodh mënjanë si motiv, në favor të spekulimeve më të gjera politike apo kriminale. Mediat sugjeruan se Bogdanov dhe grupi i tij ishin paguar për të ndalur ndeshjen, megjithëse nuk kishte konsensus për motivet apo porositësit.
Disa lidhën ngjarjen me ekstremistët e djathtë në Serbi, atëkohë Vuçiq dhe Nikoliq ende në opozitë, që donin të ndalonin anëtarësimin e vendit në BE; të tjerë pretendonin se ishte një përpjekje për të rrëzuar presidentin e Federatës Serbe të Futbollit, Tomisllav Karagjiq, një partizanovc.
Pas incidentit në Xhenovë, Bogdanov u mbajt në një burg italian për disa muaj, para se të ekstradohej në Serbi, ku e priste një tjetër dënim për një rast tjetër. Gati dy vjet e gjysmë pas asaj nate, ai u lirua. Në shumicën e vendeve të Evropës, përfshirja në një incident të tillë do të thoshte ndalim i përhershëm nga stadiumet – por jo në Serbi. Bogdanov u rikthye në tribunë në ndeshjen e parë pas lirimit dhe një muaj më vonë u fotografua duke udhëhequr tifozët e Zvezdës në “derbin e përjetshëm” të Beogradit.
Vijon në pjesën e tretë…