Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, ka një dëshirë të madhe, por këtë dëshirë e ndajnë edhe zyrtarët e KB Trepça, është që Adisi të jetë përzgjedhës i Kosovës.
Kur po mbahej kampionati evropian EuroBasket 2025, dhe ndeshjet po zhvilloheshin në Qipro, kryetari i FBK-së, Fetahu, dhe kryetari i Trepçës, Vullnet Sefaja, e kishin takuar Adisin me të vetmin qëllim: të diskutonin mundësinë që në një moment Adisi të pranonte postin e përzgjedhësit të Kosovës. Burime të sigurta të Kërlaçkit kanë konfirmuar takimin. Por, se a ka pranuar Adisi, a ju ka premtuar apo jo, këtë nuk e dimë. Por, dorëheqja nga Bosnja mund të çojë edhe te kjo zgjidhje – ndoshta jo tani, por pak më vonë.
Është e vërtetë që Bosnja dhe Hercegovina nuk kanë pasur asnjë mbështetje institucionale në udhëtimin e tyre në turnir, mjetet e federatës kanë qenë shumë të mangëta, shteti nuk ka ndihmuar. Shto këtu edhe mungesën e disa basketbollistëve që nuk kishin pranuar t’i bashkoheshin ekipit – krejt kjo i kishte ardhur në majë të hundës strategut boshnjak.
Adisi është mjaft i kënaqur me kushtet dhe jetën e bërë në Kosovë. Janë të shpeshta, apo thuajse të gjitha rastet kur trajnerët e basketbollit udhëheqin ndonjë skuadër dhe ndonjë përfaqësuese. Dhe, Mitrovica me Prishtinën nuk janë më larg se 40 kilometra.