Sulmuesi 18-vjeçar, Leon Myrtaj, ka vendosur të ndryshojë kombëtaren që përfaqëson, duke lënë Shqipërinë për t’iu bashkuar Hungarisë.
Ky është një vendim i papritur dhe i rëndësishëm për sulmuesin e talentuar që aktivizohet me ekipet e të rinjve të Tottenham Hotspur në Angli.
Myrtaj, i cili ka luajtur më parë me Shqipërinë U-19, ka zgjedhur të përfaqësojë Hungarinë për shkak të origjinës së nënës së tij, që është hungareze. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga faqja e klubit londinez.

“Ndërkohë, lojtari tjetër i Akademisë, Leon Myrtaj, bashkohet me Hungarinë U-19 për herë të parë, pasi më parë kishte përfaqësuar Shqipërinë në nivelin e të rinjve”, thuhet në njoftimin e Tottenhamit.
Në përfaqësuesen shqiptare, Myrtaj ka zhvilluar 10 ndeshje me ekipet e moshave, duke shënuar 4 gola. Me këtë vendim, një tjetër talent premtues largohet nga strukturat e futbollit shqiptar për të ndjekur karrierën ndërkombëtare nën një tjetër flamur.