Skuadra juniore e FC Prishtinës po kalon një formë mbresëlënëse në kampionatin e Superligës U19, duke shënuar fitoren e gjashtë radhazi në po aq ndeshje të zhvilluara.
Në ndeshjen e javës së gjashtë, të rinjtë prishtinas triumfuan në derbin e kryeqytetit ndaj Ramiz Sadikut me rezultat 2:0, duke e konsoliduar pozitën e tyre në krye të tabelës.
Nën drejtimin e trajnerit Etrur Sadiku, ekipi është formuar si një grup i strukturuar dhe konkurrues, me synimin për të marrë fronin nga rivali i përhershëm në këtë kategori, 2 Korriku.
Deri tani, juniorët e Prishtinës kanë regjistruar fitore ndaj Ballkanit, Dukagjinit, Gjilanit, Flamurtarit, Trepçës dhe tashmë ndaj Ramiz Sadikut. Me 18 pikë të plota dhe një goldallim të favorshëm prej 18:5 (+13), ata mbeten ekipi i vetëm me bilanc të përsosur.
Megjithatë, gara për kreun mbetet e hapur, pasi 2 Korriku vazhdon të ndjekë hap pas hapi ekipin bardhekaltër në renditje.