Pas fitores së madhe 1-0 ndaj kampionëve në fuqi të Ballkanit, që gjithashtu ishte humbja e parë sezonale për skuadrën suharekase, është prononcuar më në fund edhe trajneri i Prishtinës, Arsim Thaqi. Ky sukses e konsolidon Prishtinën në vendin e parë të renditjes, me një ecuri mbresëlënëse në këto tetë javë të para.
“Një fitore shumë e rëndësishme kundër një ekipi cilësor dhe rival direkt për titull. Meritat i takojnë plotësisht lojtarëve, të cilët nuk u ndalën asnjë moment dhe dhanë maksimumin në çdo pjesë të lojës”, ka deklaruar Thaqi pas ndeshjes.
Ai vlerësoi veçanërisht edhe lojtarët që aktivizohen nga stoli:
“Po tregojnë se sa shumë e duan këtë klub dhe sa të rëndësishëm janë për ekipin.”
Thaqi nuk la pa përmendur edhe mbështetjen e pandalshme të tifozëve:
“Një falënderim i veçantë shkon për Plisat, të cilët po e ndihmojnë jashtëzakonisht shumë skuadrën në çdo ndeshje. Me bindje të plotë mund të them se ata janë hijeshia e kampionatit dhe forca e klubit tonë.”
Prishtina, nën drejtimin e Thaqit, ka grumbulluar 19 pikë pas 8 javësh (6 fitore, 1 barazim, 1 humbje) dhe ka sulmin më të mirë në Superligë me 20 gola të shënuar. Në javën e nëntë, kryeqytetasit udhëtojnë në Skenderaj për t’u përballur me Drenicën, në një tjetër sfidë të vështirë ndaj një skuadre solide në shtëpi.
Tabela: Prishtina në krye me dramë, Llapi kthen gjithçka në Malishevë