Superliga e Kosovës sjell një nga sfidat më të nxehta të sezonit: Prishtina – Ballkani. Kryeqytetasit kryesojnë renditjen me 16 pikë, ndërsa kampionët aktualë nga Suhareka e ndjekin me 15 pikë dhe janë e vetmja skuadër e pamposhtur deri tani.
Ndeshja do të zhvillohet në kompleksin kombëtar në Hajvali, të dielën nga ora 15:00, dhe pritet të tërheqë një numër të madh tifozësh, veçanërisht “Plisat” e Prishtinës.
Mesfushori Gjelbrim Taipi është shprehur optimist para kësaj përballjeje:
“Jemi në një moment shumë të mirë, ekipi po luan me ritëm të lartë. Kemi punuar fort gjatë javës dhe nëse e vazhdojmë me këtë lojë, si në dy ndeshjet e fundit, besoj se do t’ia dalim të marrim pikët maksimale. Presim një atmosferë të jashtëzakonshme me mbështetje të madhe nga tifozët, dhe shpresojmë të mos i zhgënjejmë.”
Ky duel pritet të ketë ndikim të madh në garën për kreun, duke e bërë derbin e Hajvalisë një nga ndeshjet më vendimtare të fazës së parë të kampionatit.