Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, ka shpallur listën e lojtarëve për ndeshjen ndaj Serbisë, e cila zhvillohet më 11 tetor në stadiumin “Duboçica” të Leskovcit, në kuadër të Grupit K të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Ky duel shihet si vendimtar për pozitën e dytë në grup, që dërgon në plejof. Anglia kryeson me 15 pikë pas pesë fitoreve, Shqipëria është e dyta me 8 pikë nga pesë ndeshje, ndërsa Serbia mban vendin e tretë me 7 pikë nga katër ndeshje. Fituesi i kësaj përballjeje do të marrë një hap të madh drejt kualifikimit.
Sylvinho ka thirrur lojtarë të konfirmuar, ndërsa në listë është shtuar edhe Klisman Cake i Shkëndijës së Tetovës, 26-vjeçari që më parë ka luajtur për Shpresat e Shqipërisë. Në repartin ofensiv pritet konkurrencë mes Myrto Uzunit, Mirlind Dakut, Armando Brojës dhe Rey Manajt.

Kuqezinjtë grumbullohen të hënën për ndeshjen në Leskovc. Shqipëria ndodhet në moment më të mirë se Serbia: më 9 shtator fitoi 1:0 ndaj Letonisë, ndërsa serbët u mposhtën 5:0 nga Anglia në Beograd.
Federata e Futbollit e Serbisë është dënuar nga FIFA me 80 mijë franga zvicerane dhe mbylljen e 20% të kapacitetit të stadiumit, për shkak të shkeljeve gjatë ndeshjes me Anglinë. Megjithatë, vendet e mbyllura mund të mbushen nga grupe të veçanta si familje, nxënës apo organizata kundër diskriminimit, çka pritet të ndodhë.
Presioni në “Duboçica” pritet të jetë i madh, por tek Shqipëria shpresohet që kjo të shërbejë si motivim shtesë.
Ndeshja e parë mes Shqipërisë dhe Serbisë në këtë cikël u zhvillua më 7 qershor në “Air Albania”, ku përfundoi 0:0.
Në Grupin K janë gjithashtu Letonia me 4 pikë dhe Andorra, që është pa pikë. Më 11 tetor zhvillohet edhe sfida Letonia – Andorra, ndërsa më 14 tetor luhen takimet Andorra – Serbia dhe Letonia – Anglia. Shqipëria më 14 tetor do të luajë një miqësore me Jordaninë në Tiranë, me të njëjtën listë lojtarësh.