FC 2 Korriku U19 do ta nisë edicionin e ri të UEFA Youth League 2025/26 nga raundi i dytë i rrugës së kampionëve vendorë (“Domestic Champions Path”), duke përfaqësuar Kosovën në këtë kompeticion prestigjioz për grupmoshat e reja.

Skuadra prishtinase do të përballet me ekipin skocez Hibernian F.C. më 22 tetor 2025, nga ora 20:45 në qytetin e Edinburghut, ku do të zhvillohet ndeshja e parë e kësaj faze.
Lojtarët e rinj të 2 Korrikut po shfaqin besim dhe motivim të lartë para këtij dueli sfidues.
Venis Havolli u shpreh:
„Mezi e kam pritur këtë mundësi. Besoj se i gjithë ekipi do të japë maksimumin për të përfaqësuar sa më mirë Kosovën. Kemi përballë një ekip të fortë, por do të luajmë me shpirt luftarak dhe besoj se këtë vit do të shkojmë edhe më larg se në edicionin e kaluar.“
Buron Statovci shtoi:
„Po ndihem shumë mirë për këtë rast të artë. Jemi përgatitur mjaft mirë dhe me lojë cilësore besoj se do të triumfojmë në Skoci.“
Leonard Maloku theksoi krenarinë për pjesëmarrjen në një garë të tillë:
„Ndjehem krenar që më është dhënë mundësia të luaj në UEFA Youth League. Jemi të përgatitur mirë, kemi analizuar kundërshtarin dhe synojmë vetëm fitoren.“
Angazhimi i 2 Korrikut në UEFA Youth League është një tjetër hap i rëndësishëm për zhvillimin e futbollit të të rinjve në Kosovë, duke ofruar platformë për talente që të shfaqin veten në arenën ndërkombëtare.
