Një ditë më parë e paralajmëroi zgjatjen e kontratës, ndërsa të premten edhe zyrtarisht Federata e Futbollit e Kosovës, ia ka vazhduar bashkëpunimin përzgjedhësit gjerman Franco Foda.
Përmes një njoftimi zyrtar, presidenti i FFK-së Agim Ademi dhe selektori i kombëtares së Kosovës, Foda, kanë bërë të ditur zgjatjen e kontratës edhe për dy vjet të tjera.
“Federata e Futbollit e Kosovës ka kënaqësinë të njoftoi se ka zyrtarizuar edhe formalisht marrëveshjen e mëhershme me përzgjedhësin Franco Foda për të vazhduar bashkëpunimin edhe për 2 vite“.

„Kontrata që konfirmon qëndrimin e Fodas në krye të ekipit kombëtar është nënshkruar zyrtarisht nga Presidenti Agim Ademi dhe përzgjedhësi Franco Foda, ditën e parë të grumbullimit të ekipit kombëtar në muajin tetor, përkatësisht me datën 6-të, duke formalizuar edhe në mënyrë zyrtare marrëveshjen e arritur paraprakisht“.
„Me marrëveshjen e re, Foda do t’ i prijë kombëtares së Kosovës deri në fund të vitit 2027, me mundësi vazhdimi automatikisht në rast të kualifikimit në Kampionatin Evropian të vitit 2028“, thuhet në njfotim.

Franco Foda ka marrë drejtimin e ekipit kombëtar me 17.02.2024 dhe që nga ajo periudhë ka udhëhequr kombëtaren tonë në 17 ndeshje deri tani, duke arritur: 11 fitore, 2 barazime (përfshirë atë me Rumaninë 0:0) dhe ka pësuar 4 humbje.