Vushtrria ka mposhtur Istogun me rezultat minimal 1-0, duke e përmbyllur fundjavën në krye të tabelës, ndërsa me fitoren e sotme ka rritur epërsinë ndaj ndjekësve të saj.
Kapiteni i palodhur i skuadrës, Daut Maxhuni, u prononcua pas ndeshjes për Kërlaçki, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe karakterit të skuadrës.
“Faleminderit shumë. Po, është e vërtetë që kemi kapur ritmin. Ekipi ka fituar vetëbesim dhe kemi punuar jashtëzakonisht shumë për të arritur këtu ku jemi sot.
Për këto paraqitje të mira, meritë ka grupi i djemve të jashtëzakonshëm – pavarësisht problemeve dhe lëndimeve, po tregojnë karakter, dhe për këtë dua t’i falënderoj të gjithë.
Sa i përket mbajtjes së pozitës së parë, prej kësaj jave kemi arritur aty ku kemi synuar. Tani e tutje nuk na interesojnë ndeshjet e ekipeve të tjera – ne do të fokusohemi vetëm te vetja dhe t’i marrim ndeshjet një nga një.
Sa për ndeshjen e sotme, ishte paksa e vështirë pasi kemi luajtur me 2 Korrikun para tri ditësh dhe, normalisht, lodhja bën të vetën. Por sidoqoftë, ishte një fitore e merituar.”
Vushtrria, në javën e 14-të, udhëton drejt Prizrenit, ku do të përballet me skuadrën homonime.