Shaqiri i kënaqur me fillimin e sezonit: Jam emocional, por kjo është pjesë e rolit tim

Xherdan Shaqiri

Ylli i FC Basel, Xherdan Shaqiri, ka vlerësuar pozitivisht paraqitjet e skuadrës dhe të vetes në startin e sezonit, duke shpjeguar pse shpesh shihet duke debatuar me shokët e ekipit në fushë.

Në një intervistë për Basler Zeitung para ndeshjes ndaj Winterthurit, të cilën Basel e fitoi 3-0, Shaqiri deklaroi se është i kënaqur me drejtimin që ka marrë skuadra. Ai i dha vetes dhe klubit një notë prej afro 5-shi:

“Duke parë pikët nga golat dhe asistet, mund të më jepja edhe më shumë, pasi aktualisht jam golashënuesi më i mirë i ligës. Por në përgjithësi, do i jepja vetes një 4.7 apo 4.8.”

Shaqiri pranon se jo të gjitha paraqitjet kanë qenë të mira, por ai refuzon kritikat se ankohet shumë në fushë:

“Jam thjesht shumë emocional gjatë lojës. Kur gabimet përsëriten, kjo më nervozon. Kjo ndodh më shpesh në fillim të sezonit, sepse ekipi ende po përshtatet, bëhen zëvendësime, dhe koordinimi nuk është perfekt. Jo, nuk mendoj se ankohem tepër – kjo është pjesë e rolit tim. Duhet t’i bëj të tjerët të vetëdijshëm për atë që mund të bëjmë më mirë. Çfarë mendoni se ndodhte me lojtarët lider te Liverpool? Ka pasur debate të ashpra në dhomat e zhveshjes në pushimin e pjesëve.”

Shaqiri gjithashtu pranoi se po ndien lodhjen e javëve intensive, por është i kënaqur që ka qëndruar i padëmtuar dhe nuk ka munguar në asnjë ndeshje që nga rikthimi:

“Trupi është disi më i lodhur se më parë, por jam i befasuar pozitivisht që nuk kam humbur asnjë ndeshje. Edhe nëse ndodh që të mos jem në fushë, besoj se ekipi mund të fitojë edhe pa mua.”