Nga 27 nëntori deri më 1 dhjetor 2025, kryeqyteti i Kosovës do të mirëpresë ngjarjen më të rëndësishme të shahut evropian – Kampionatet Evropiane në disiplinat Rapid dhe Blitz. Organizuar nga Federata e Shahut e Kosovës dhe nën patronazhin e Bashkimit Evropian të Shahut (ECU), ky aktivitet do të mbahet në Hotel Emerald në Prishtinë.
Kampionati është i hapur për të gjithë shahistët e federatave anëtare të ECU-së, pavarësisht renditjes apo titullit. Në program parashihen dy turne kryesorë: Rapid (28–29 nëntor, 11 raunde, 15+10) dhe Blitz (30 nëntor, 13 raunde, 3+2). Fondi total i shpërblimeve kap vlerën prej 65 mijë eurosh, përfshirë mbi 30 çmime speciale sipas moshës, gjinisë dhe kategorive të ndryshme ELO.
Organizatorët presin mbi 500 pjesëmarrës nga më shumë se 40 shtete, duke e bërë këtë një nga turnetë më gjithëpërfshirës dhe të rëndësishëm të vitit në kalendarin evropian të shahut.