PSG nuk arriti fitoren e katërt radhazi ndaj Lille, pasi një gol i vonshëm nga Ethan Mbappé i dha vendasve një barazim 1-1, megjithatë kampionët në fuqi rikthehen në krye të Ligue 1 falë këtij rezultati.
PSG udhëtoi në “Stade Pierre-Mauroy” me mungesa të shumta — gjashtë titullarë të dëmtuar dhe vetëm shtatë lojtarë në stol, përfshirë dy portierë. Si pasojë, Luis Enrique aktivizoi një formacion të mbushur me të rinj, ku katër adoleshentë e nisën ndeshjen nga minuta e parë. Në fillim, loja ishte e qetë dhe e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që qarkullonin topin mirë, por pa rrezikuar seriozisht. Rasti i parë në kuadrat erdhi në mesin e pjesës së parë, kur një goditje me kokë e Olivier Giroud përfundoi pa rrezik në duart e ish-portierit të Lille, Lucas Chevalier. Më vonë, Lucas Hernández ndali me trup një tentativë të Thomas Meunier, duke shmangur golin.
Në anën tjetër, Bradley Barcola pati rastin më të mirë për PSG-në para pushimit, pasi topi u devijua në mënyrë të rastësishme pas një goditjeje të Nabil Bentaleb dhe i ra në këmbë. Megjithatë, presioni i mbrojtësit 18-vjeçar Ayyoub Bouaddi e detyroi sulmuesin të gjuante jashtë.
Hakimi e Mendes ndriçojnë, por Mbappe djaloshi prish festën
Në pjesën e dytë, trajnerët kërkuan më shumë kreativitet, por pa bërë menjëherë zëvendësime. Olivier Giroud provoi një gjuajtje akrobatike me roveshatë, ndërsa Bentaleb testoi sërish Chevalier-in me një goditje nga distanca. Portieri turk Berke Özer — hero i Lille në Europa League pas tri penalltive të pritura ndaj Romës — ndali edhe një gjuajtje të rrezikshme të Barcola-s.
Pas këtij momenti, Luis Enrique hodhi në fushë “armatën e rëndë”: Vitinha, Nuno Mendes dhe Achraf Hakimi u aktivizuan për të ndryshuar fatin e ndeshjes. Dhe ndikimi i tyre ishte i menjëhershëm. Hakimi fitoi një faull në një zonë premtuese, ndërsa Nuno Mendes shënoi një gol të jashtëzakonshëm nga mbi 25 metra, duke e dërguar topin në cepin e majtë të portës, megjithëse Özer e preku lehtë me majat e gishtave.
Trajneri Bruno Génésio reagoi me lëvizje sulmuese, dhe Matias Fernandez-Pardo pati mundësinë për të barazuar, por gjuajti jashtë. PSG mund të kishte mbyllur llogaritë, por Özer ndali një goditje të fuqishme të Lee Kang-in, ndërsa Hakimi tregoi mungesë qetësie përpara portës.
Në minutat e fundit, erdhi momenti i papritur: Ethan Mbappe, vëllai i Kylianit (i pranishëm në tribuna), përfitoi nga një top i humbur i Lee, depërtoi në zonë dhe mposhti Chevalier-in me një diagonale të saktë. Lille shmangu humbjen dhe ndërpreu serinë e dy disfatave radhazi, ndërsa PSG humbi dy pikë të çmuara por ruan kreun e tabelës, një pikë përpara Marseille-it.