Dy skuadrat janë përballur 20 herë që nga viti 2021, kur Malisheva u inkuadrua për herë të parë në Superligë.

Ballkani ka arritur 12 fitore, Malisheva ka shënuar 4 fitore, ndërsa vetëm 4 ndeshje kanë përfunduar barazim. Këto dy skuadra zakonisht kanë zhvilluar ndeshje të qeta mes veti. Megjithatë, në takimin e parë të këtij edicioni në Suharekë, pas katër dueleve ku secila kishte nga dy fitore në fushën e vet, u regjistrua barazimi 1:1.

Ballkani është ndjekësi më i afërt i Prishtinës, me 19 pikë, gjashtë më pak se kryesuesja. Ka regjistruar 5 fitore, 4 barazime dhe vetëm një humbje – më së paku në ligë, së bashku me Prishtinën. Po ashtu, Ballkani ka mbrojtjen më të mirë me vetëm 7 gola të pësuar dhe një golavarazh pozitiv +11 (18:7). Si mysafir, ka mposhtur Ferizajn dhe në fushë asnjanëse, Prishtinën e Re në Lipjan, ndërsa ka barazuar dy herë dhe ka pësuar një humbje nga Prishtina.

Nga ana tjetër, Malisheva ka grumbulluar 13 pikë me 4 fitore, 1 barazim (me Ballkanin) dhe 5 humbje. Në shtëpi, ka fituar vetëm ndaj Ferizajt, ndërsa ka pësuar nga Prishtina e Re, Dukagjini, Prishtina dhe Llapi.

Së bashku me Drenicën dhe Ferizajn, Malisheva ka një nga mbrojtjet më të dobëta – me 18 gola të pësuar dhe një golavarazh negativ -2 (16:18). Në aspektin ofensiv, sulmi i Malishevës (16 gola) është më i mirë se shumica e ekipeve, dhe më të efektshëm janë vetëm Prishtina (26) dhe Ballkani (18).

Për Malishevën, ndeshja e nesërme është e rëndësishme për stabilitetin, ndërsa për Ballkanin është një sfidë me imperativ fitoreje, nëse dëshiron të mbetet në garë për titull – pasi Prishtina është shkëputur ndjeshëm në krye.