Kroacia ndalet nga Çekia, por mban kreun e grupit

Çekia - Kroacia

Kroacia u ndal në një barazim pa gola në udhëtim ndaj Çekisë, në një ndeshje të fortë në Pragë që i dha fund ecurisë perfekte të kroatëve në kualifikueset për Kupën e Botës, por që gjithsesi i mban ata në krye të Grupit L.

Kjo ndeshje shënoi edhe sfidën e 100-të në drejtimin e Kroacisë për trajnerin Zlatko Daliç, i cili me siguri kishte shpresa për ta festuar me fitore pas katër fitoreve radhazi në nisje të fushatës. Megjithatë, përballja ndaj Çekisë pritej të ishte më e vështira në letër – dhe ashtu rezultoi.

Çekët e nisën më mirë ndeshjen, duke testuar që në minutat e para portierin Dominik Livakoviç. Fillimisht, Tomash Souçek goditi jo saktë, ndërsa më pas Lukash Provod provoi me një goditje dënimi që u grushtua nga portieri i Gironës.

Kroacia pati vështirësi të bënte diferencën në sulm dhe humbi dy raste të mira me Ivan Perišić, i cili goditi dy herë mbi traun nga pozita të favorshme. 45 minutat e para u mbyllën pa gola, me trajnerin Ivan Hashek që mund të ndihej më i kënaqur.

Edhe në pjesën e dytë, ishte Çekia që tregoi më shumë iniciativë. Tomash Chory nuk arriti të shfrytëzonte një goditje këndi të Kushej, ndërsa Pavel Shulc goditi jashtë nga distanca. Kroacia nuk po arrinte të shfaqte nivelin e zakonshëm dhe intensitetin që e kishte karakterizuar në ndeshjet e mëparshme.

Deri në fund, Perishiç dhe Petar Sushiç provuan me goditje të dobëta që u pritën lehtësisht nga portieri Matej Kovar. Në minutat e fundit, Luka Modriç tentoi me një goditje nga distanca, por u bllokua në mënyrë të shkëlqyer nga Ladislav Krejçi.

Ndeshja përfundoi me një pikë për secilën skuadër, në një takim që nuk la shumë për të kujtuar. Megjithatë, Kroacia ruan vendin e parë falë golavarazhit më të mirë dhe një ndeshjeje më pak të zhvilluar. Çekia nga ana tjetër humbi një rast të mirë për të marrë kryesimin dhe tani do të shpresojë në ndonjë hap të gabuar të kroatëve për të siguruar kualifikimin direkt.

 

 

Standings provided by Sofascore