Ishujt Faroe shkatërron Malin e Zi dhe ëndërrojnë Botërorin

Ishujt Faroe - Mali i Zi 4-0

Tifozët e Ishujve Faroe përjetuan një nga netët më të paharrueshme në historinë e tyre futbollistike, duke mbajtur gjallë ëndrrën për një debutim në Kupën e Botës me një fitore të thellë 4-0 ndaj Malit të Zi – suksesi i tretë në Grupin L, numri më i lartë i fitoreve që kanë regjistruar ndonjëherë në një fushatë kualifikuese.

Të dyja kombëtaret synojnë kualifikimin në një turne madhor për herë të parë, por ishte Mali i Zi që nisi më mirë ndeshjen. Nikola Krstoviç rrezikoi me një goditje të ulët jashtë portës, ndërsa një tjetër tentativë nga distanca e Marko Bakiç u ndal nga portieri.

Por, përkundër nisjes së mirë të miqve, ishin vendasit që kaluan në epërsi: Hanus Sørensen, pas një kombinimi me Árni Frederiksberg, depërtoi në zonë dhe me një goditje të ulët pranë shtyllës shënoi golin e avantazhit.

Ky gol i hapi rrugën ekipit të trajnerit Eyðun Klakstein për të shënuar fitoren e dytë radhazi – diçka që nuk e kishin bërë që nga viti 2020. Mali i Zi tentoi reagimin me një goditje me kokë të Milutin Osmajić, por vendasit u treguan më efikasë: Frederiksberg dërgoi një goditje dënimi të mprehtë në zonë, të cilën Meinhard Olsen e devijoi në rrjetë për 2-0.

Në pjesën e dytë, ëndrra vazhdoi për Faroe. Gunnar Vatnhamar humbi dy raste me kokë, por shpejt erdhi edhe goli i tretë: sërish Sørensen, këtë herë me kokë në shtyllën e dytë pas një krosimi nga e djathta, mposhti portierin që reagoi me vonesë.

Mali i Zi e përjetoi një mbrëmje të rëndë, që i dha fund përfundimisht shpresave për kualifikim. Trajneri Mirko Vuçiniç regjistroi humbjen e 11-të në 15 ndeshjet e fundit – dhe ende kishte më keq për të ndodhur. Në një kundërsulm, topi i goditur nga Jóan Edmundsson u përplas në dorën e Andrija Vukçeviç brenda zonës, dhe Frederiksberg realizoi saktë nga pika e bardhë për 4-0.

Miqtë patën vetëm një goditje në kuadrat, nga Nikola Shipqiç, e cila u prit lehtësisht. Në anën tjetër, Andrias Edmundsson rrezikoi me një predhë nga 30 metra, që u devijua mbi traversë, ndërsa Petur Knudsen goditi shtyllën me kokë pas një goditje këndi.

Edhe pse nuk arritën fitoren më të thellë në histori, Ishujt Faroe përjetuan një natë që do të kujtohet për dekada.