Fisnik Asllani, në vëzhgimin e Hansi Flick, shkruajnë mediet gjermane, përcjellin ato katalunase

Fisnik Asllani, Suedi - Kosovë 0-1

Sulmuesi i Hoffenheimit po bën diferencën në Bundesliga. Asllani shënoi edhe ndaj Suedisë në ndeshjen e fundit ndërkombëtare me Kosovën.

Tregu i futbollit nuk njeh pushim mes dritareve të transferimeve. Me kampionatet që tashmë janë në kulmin e tyre, zërat e merkatos fillojnë të qarkullojnë rreth atyre lojtarëve që nisën sezonin si “të panjohur”, por që, pas vetëm një duzine ndeshjesh, janë kthyer në protagonistë të serialeve të merkatos në afat të mesëm dhe afatgjatë. Ky duket të jetë rasti i Fisnik Asllanit.

Në ditët e fundit, sulmuesi kosovar ka marrë vëmendje të madhe dhe ka mbledhur një sërë komplimentesh. Instinkti i tij për gol është në formë të shkëlqyer dhe falë efikasitetit para portës, modestja Hoffenheim ka mundur të ruajë një pozicion të sigurt në mesin e tabelës në Bundesliga.

Vëmendja drejt Asllanit

Sipas asaj që raportoi Sky Sports disa javë më parë, Asllani ka tërhequr interesin e disa klubeve që janë në kërkim të një sulmuesi të ri me profil golashënuesi dhe që nuk kushton aq shtrenjtë. Ai tashmë ka mbushur 23 vjeç dhe shihet si një investim i sigurt për të ardhmen.

Po këto burime raportojnë se Fisnik Asllani e ka rinovuar kontratën me Hoffenheim vetëm disa muaj më parë, por ka përfshirë një klauzolë që i lejon të negociojë largimin me një “çmim të arsyeshëm”, nëse në verën e ardhshme mbërrin një ofertë nga ndonjë klub që luan në Champions League.

Barcelona në ndjekje

Në Gjermani raportojnë se Barcelona është duke studiuar me kujdes tregun, në kërkim të një sulmuesi që mund të zëvendësojë Robert Lewandowskin, kontrata e të cilit përfundon këtë verë.

Sky Sports rikthehet te emri i Fisnik Asllanit, duke theksuar se skuadra e drejtuar nga Hansi Flick po e ndjek nga afër lojtarin kosovar. Asllani ka shënuar katër gola në Bundesliga dhe një tjetër në Kupë, statistika që duken mbresëlënëse për një ekip me potencial të kufizuar si Hoffenheim, shkruan Diario Sport, e afërt me klubin katalun, Barcelona.

Edhe pse nuk ka kontakte zyrtare apo negociata konkrete, përflitet se Asllani vetë ka komentuar mbi të ardhmen e tij. Në një intervistë për Sport Bild, ai deklaroi:

„FC Barcelona ka qenë gjithmonë klubi im i ëndrrave; gjithmonë kam dashur të luaj atje.“

Çmimi dhe skenari më i mundshëm

Megjithëse në mes të tetorit çdo lëvizje duket e parakohshme, realiteti është se Asllani është efektiv para portës dhe çmimi i tij nuk pritet të kalojë 30 milionë euro. Lista e kandidaturave për Barcelonën është e gjatë, por në Gjermani janë të bindur se Asllani është në radarët e Flick.

Shkrimi i “Sport” dhe burimet gjermane nxjerrin në pah një të vërtetë të madhe për futbollin e Kosovës: talentet tona janë në rritje dhe po tërheqin klubet më të mëdha evropiane.

Fisnik Asllani, që përfaqëson Kosovën në arenën ndërkombëtare, është bërë një nga emrat më të përfolur në Bundesliga. Performanca e tij me Hoffenheim-in, dhe veçanërisht komentet për ëndrrën e tij për të luajtur te Barcelona, janë një mesazh i qartë: Kosova po promovon lojtarë që nuk janë vetëm pjesëmarrës, por pretendentë në nivelet më të larta të futbollit europian.

Nëse transferimi i tij te një klub si Barcelona konkretizohet, kjo do të ishte një tjetër dëshmi për potencialin e madh që ekziston në futbollin kosovar.