Barcelona tërhiqet nga projekti i Superligës Evropiane

Barça

Barcelona ka vendosur të largohet nga projekti i Superligës Evropiane, një nismë që u udhëhoq fillimisht nga drejtuesit e klubit katalanas dhe ata të Real Madridit. Sipas raportimeve të Radio Catalonia, klubi është i kënaqur me ndryshimet që UEFA ka bërë në formatin e ri të Ligës së Kampionëve dhe nuk sheh më nevojë të jetë pjesë e një gare të shkëputur.

Katalanasve u përshtatet sidomos ndarja e re financiare që UEFA ka vendosur për garën më të madhe evropiane, duke e bërë kështu të panevojshëm projektin e Superligës, i cili u shty përpara kryesisht për arsye ekonomike. Synimi i klubeve më të fuqishme ishte krijimi i një kompeticioni të mbyllur mes tyre, me të ardhura shumë më të mëdha sesa ato që sigurohen nga garat e UEFA-s.

Ndërkohë, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, mbetet i vetëm në përpjekjet për të ringjallur këtë projekt. Marrëdhëniet mes Barcelonës dhe UEFA-s janë përmirësuar ndjeshëm muajt e fundit, gjë që u pa edhe kur presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ndoqi si i ftuar ndeshjen Barcelona–PSG nga tribuna VIP e „Camp Nou“.

Barcelona vijon të përballet me vështirësi të mëdha financiare që nga periudha e pandemisë së koronavirusit dhe detyrohet të funksionojë me rregulla të veçanta, ku shpenzimet nuk mund të tejkalojnë të ardhurat.

Kujtojmë se projekti i Superligës u shpall fillimisht në vitin 2021 nga disa prej klubeve më të mëdha evropiane, por pjesa më e madhe u tërhoq shpejt, nën presionin e madh të tifozëve dhe institucioneve të futbollit.