Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare dhe i Burnley-t, Armando Broja, ka folur për sfidën e radhës kundër Serbisë, një ndeshje me rëndësi të veçantë për ekipin kuqezi.
Broja thekson se prioritet mbetet fitorja dhe bashkëpunimi me skuadrën, pavarësisht se ai nuk ka shënuar gol që nga viti 2023.
“Më e rëndësishme për mua është të fitojmë ndeshjen. Normalisht kam dëshirë të shënoj gola, por më e bukura është të fitojmë, duke krijuar raste dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin,” u shpreh Broja.
Sulmuesi foli edhe për atmosferën brenda ekipit dhe udhëzimet e trajnerit Sylvinho: “Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme, por duhet të jemi të fokusuar dhe të përqendruar. Është një sfidë e madhe, por duhet të jemi si skuadër dhe të ndjekim udhëzimet e trajnerit për ta fituar takimin.”

Broja komentoi edhe mungesën e golave dhe pozicionin e tij në krahun e djathtë: “Pozicioni nuk ndikon. Mund të shënoj edhe nga krahu i djathtë. Kam folur me trajnerin dhe ai më ka këshilluar të jem i përqendruar kur të kem rastet. Dua ta ndihmoj ekipin, qoftë duke shënuar apo duke asistuar. Nuk mendoj vetëm për golin, por për fitoren e skuadrës.”
Përsa i përket kualifikimit për Kupën e Botës 2026, Broja mbetet optimist: “Kemi shanse të mira, edhe pse kemi ekipe të forta si Anglia dhe Serbia. Duhet të luftojmë fort deri në fund. Kjo është ndeshja e radhës dhe duam ta fitojmë patjetër“.