Turneu Ballkanik për femra, BVA Cup 2025, i zhvilluar në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj, është mbyllur ku ekipi grek AEK nga Athina u shpall kampion pas një paraqitjeje të shkëlqyer në të tri ndeshjet.
Në ndeshjen e fundit të turneut, AEK mposhti KV Dritën me rezultat të pastër 3:0 (25-20, 25-18, 25-19), duke e përmbyllur garën me bilanc të përsosur prej tre fitoreve nga po aq takime.

Vendin e dytë e zuri OK Herceg Novi nga Mali i Zi pasi që fitoi në ndeshjen e tretë kundër maqedonaseve të FIT Fun Volley 3-0 (25-16, 25-8, 25-12), ndërsa KV Drita, përkundër humbjes në ndeshjen e fundit, e mbylli turneun në vendin e tretë dhe u stolis me medaljet e bronzta. Paraqitja e skuadrës sjellë përvojë të çmuar në skenën ndërkombëtare.
Për performancën e saj të spikatur gjatë gjithë turneut, kapitenja e AEK Athens, Sevastiani Xintara, u shpall MVP e turneut, duke luajtur një rol kyç në suksesin e ekipit grek.
Ky ishte edicioni i katërt që KV Drita organizon BVA Cup, dhe njëherësh një tjetër dëshmi e profesionalizmit dhe mikpritjes së kësaj skuadre, vlerësuar lartë nga të gjitha ekipet pjesëmarrëse dhe përfaqësuesit e BVA-së.