Kampioni i Kosovës në futsall, FC Prishtina 01, është gati të nisë rrugëtimin e ri në UEFA Futsal Champions League për edicionin 2025/26, duke hyrë për herë të parë në fazën prestigjioze Main Round – Path A, e rezervuar për klubet më të fuqishme të Evropës.
Ndeshjen e parë, skuadra nga Prishtina do ta zhvillojë nesër kundër gjigantit portugez, Sporting CP, një prej emrave më të njohur të skenës evropiane në këtë sport.
Prishtina 01 bën pjesë në Grupin 4 së bashku me Sporting CP (Portugali), Kairat Almaty (Kazakistan) dhe Novo Vrijeme Makarska (Kroaci). Të gjitha ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në qytetin Makarska të Kroacisë, nga 28 tetori deri më 2 nëntor 2025.
Ky grup është pjesë e rrugës A (Path A), ku garojnë skuadrat me koeficientet më të larta sipas UEFA-s. Sipas formatit të garës, tri skuadrat më të mira të secilit grup do të kualifikohen në fazën e 1/16-ave, duke mbajtur gjallë shpresat për avancim në “Elite Round”.
Me përvojën e krijuar në arenën ndërkombëtare dhe me përgatitje të mirë, FC Prishtina 01 synon të paraqitet denjësisht dhe të sfidojë rivalët, duke hapur një kapitull të ri në historinë e klubit dhe të futsallit kosovar.