Hakimi shpërthen dhe PSG rikthehet te fitorja në Brest

Paris Saint-Germain i është rikthyer fitoreve në Ligue 1 pas dy barazimeve radhazi, duke mposhtur Stade Brestois me rezultatin 3-0 në transfertë, falë një dygolëshi në pjesën e parë nga Achraf Hakimi. Ky rezultat përforcon dominimin absolut të parisienëve ndaj Brestit, që nuk kanë fituar asnjë nga 33 përballjet direkte (25 humbje, 8 barazime).

Pas shpërthimit me 7 gola në Ligën e Kampionëve në mesjavë, PSG nuk e humbi ritmin. Ekipi i Luis Enrique dominoi që në fillim me mbi 80% zotërim topi, megjithëse shansi i parë serioz erdhi pas minutës së 25-të, kur goditja e Senny Mayulu u ndal nga portieri Radosław Majecki.

Vetëm pak minuta më vonë, PSG gjeti zhbllokimin: në minutën e 29-të, Vitinha asistoi me një pasim të lartë perfekt për Hakimin, i cili realizoi me një goditje të saktë në cepin e poshtëm të portës. Marokeni nuk u ndal me kaq – 10 minuta më vonë, pas një kombinimi me Kvaratskhelian, ai dyfishoi rezultatin nga një kënd i ngushtë, duke çuar parizienët në pushim me epërsi të dyfishtë.

Pjesa e dytë solli një Brest më agresiv, por momenti vendimtar erdhi kur arbitri nuk akordoi një penallti për prekje me dorë të Lee Kang-in. Pas shqyrtimit fillestar në VAR dhe refuzimit të protestave, Jérémie Pignard u thirr sërish për ta parë në monitor dhe pas më shumë se 5 minutash vendosi ta akordojë penalltinë. Megjithatë, Romain Del Castillo rrëshqiti në momentin e goditjes dhe e humbi penalltinë në mënyrë të çuditshme – një episod që rrëzoi totalisht moralin e vendasve.

PSG nuk e rrezikoi më fitoren. Loja u fragmentua nga zëvendësimet dhe mungesa e rrezikut nga Brest, që nuk regjistroi goditje në portë deri në minutën e 88-të. Në fund, Désiré Doué vulosi rezultatin në kohën shtesë me golin e tretë, duke i dhënë edhe më shumë shkëlqim fitores që e ngjit PSG-në në krye të tabelës përkohësisht, në pritje të ndeshjes Marseille – Lens. Brest mbetet në pjesën e poshtme të renditjes.

 

 

Standings provided by Sofascore