Vllaznia triumfon në Klasiken, Elbasani rikthehet te fitorja pas tri javësh

Lirim Kastrati: Vllaznia - Tirana 3-1

Në një atmosferë elektrizuese në “Loro Boriçi”, Vllaznia mposhti Tiranën me rezultatin 3-1, duke e forcuar pozicionin në krye të renditjes së Kategorisë Superiore.

Vllaznia 3-1 Tirana – Kuqeblutë përfitojnë dhe ruajnë kreun

“Klasikja” nisi me gola që në minutat e para, ku Tabeku kaloi bardheblutë në avantazh në minutën e 9-të pas një goditjeje këndi.

Reagimi i vendasve ishte i menjëhershëm. Jago barazoi rezultatin në minutën e 15-të me një goditje nga distanca, ndërsa Balaj përmbysi gjithçka në të 20-ën, pas një aksioni të shpejtë nga krahu i djathtë. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-1.

Në pjesën e dytë, një episod me VAR ndryshoi rrjedhën e lojës. Kuros, sapo ishte futur në fushë, u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrje të rrezikshme ndaj Haxhiut në minutën e 52-të. Me një lojtar më pak, Vllaznia administroi mirë lojën dhe në minutën e 78-të Kastrati shënoi nga pika e bardhë pas një faulli të Valerianos në zonë.

Më pas, Vllaznia ruajti avantazhin deri në fund, ndërsa Tirana humbi disa mundësi për të ngushtuar shifrat, me Falaje që nuk ia doli përballë portierit Pohls në minutën e 88-të.

Elbasani 2-1 Bylis – Diallo protagonist, por edhe fajtor në fund

Në sfidën me rëndësi të madhe për mbijetesë, Elbasani arriti të marrë një fitore të çmuar 2-1 ndaj Bylisit, duke ndërprerë serinë prej tri ndeshjesh pa fitore.

Diallo ishte protagonisti absolut në pjesën e parë, duke shënuar dy herë: fillimisht në minutën e 25-të nga një goditje dënimi dhe më pas në të 38-tën nga pika e bardhë, pas një penalltie të fituar mes tensioneve në zonën kundërshtare.

Në minutën e 50-të, Marku ngushtoi rezultatin për Bylisin me një goditje me kokë, duke rihapur ndeshjen. Të dyja skuadrat patën episode me kartonë dhe tensione, ku VAR-i u bë protagonist në minutën e 80-të, kur Ibrahim Abas u ndëshkua me karton të kuq pas rishikimit të pamjeve.

Në fund, Diallo pati një mundësi ideale për të mbyllur sfidën, por tregohet egoist dhe nuk pason, duke humbur rastin e artë në minutën e 90-të.

Me këtë fitore, Elbasani merr frymë lehtësisht, ndërsa Bylisi mbetet i rrezikuar në pjesën e poshtme të tabelës.

 

Standings provided by Sofascore