Nga euforia e madhe e një udhëtimi mitik për të organizuar shkuarjen në Beograd, gjithçka kishte rënë poshtë në momentin që u dha njoftimi: nuk do të lejoheshin tifozë shqiptarë të organizuar, madje as nëse kishin bileta individualisht. E megjithatë, ideja për të mbërritur në Beograd nuk ishte shuar. Jo për të gjithë. Të paktën jo për dy persona. Dy Plisa. Njëri shkupjan, atëkohë 37-vjeçar. Tjetri prishtinas. 21-vjeçar.
Pa marrë parasysh distancën në moshë, të dy ishin pjesë e “ekipit të parë të Plisave” – me përvojë të madhe në tifozeri. Me njohuri të gjuhës, të mentalitetit të tifozëve. Me guxim. Me intuitë. Me njohje të rrethanave. Kishin vetëm një qëllim: të mos linin asnjë mundësi pa shfrytëzuar për të arritur në Beograd, në stadiumin ish-APJ, në rrugën „Ljutice Bogdana“, apo “Humska”. Qëllimi ishte i qartë: të shkelte këmba e një tifozi shqiptar në Beograd. Dhe të linin gjurmë!
Udhëtimi kishte nisur me autobus nga Prishtina për në Gjilan. Më pas, me taksi, Gjilan – kufiri për Preshevë. Nuk ishte se ishin krejtësisht të paorganizuar. Por, në atë kohë, mjetet e informimit dhe telefonat e mençur ishin ende të rinj. Mundësitë për Wi-Fi ishin shumë më të pakta se sot. Kishte zëra se në Preshevë mund të kishte edhe ndonjë tjetër tifoz. Pse jo? Fjalët qarkullonin. Por me ta apo pa ta, synimi i dyshes ishte një dhe i vetëm: Beogradi.
Pengesa e parë!
(Në tekst do të përdoret vetëm inicialja e parë e emrave të akterëve.)
Gjashtë orë pritje në kufi. Do., nga Prishtina, nuk kishte hasur në pengesa për të kaluar – përveç disa pyetjeve se ku po shkonte dhe një kontrolli rutinë. “Stikersat” kishin shpëtuar pa u hetuar.
Por De., nga Shkupi, nuk kalonte dot! Serbia nuk e njihte atë pikë kalimi si zyrtare. Dhe qytetarët e shteteve të tjera nuk mund të kalonin përmes “kufijve administrativë”, siç i quante Serbia.
Plot gjashtë orë pritje!
Ndërkohë, nga Prishtina u nis një automjet për ta dërguar De. në kufirin tjetër – Hani i Elezit. Në kryeqytet, ndërkohë, po diskutohej për shkuarjen e dy Plisave. Dhe, në atë moment, i treti – M., pak më i vjetër se Do. – u paraqit në fan club. Pa humbur kohë, ai shprehu interes, guxim dhe vullnet për t’u nisur menjëherë me grupin. M. iu bashkua Do. në pikën kufitare dhe, rreth mesnatës, me ndihmën e një taksie shqiptare, mbërritën në Preshevë.
Plani ishte që të nesërmen, në një kohë kur interneti ende nuk ishte pjesë e përditshme e komunikimit, çdo një orë të kontrollonin stacionin e autobusëve në Preshevë. Aty do ta prisnin De., që tani do të vinte nga Shkupi, përmes pikës kufitare Kumanovë – Preshevë.
Dëshpërimi!
Me të mbërritur në Preshevë, në ato orë të vona të natës, Do. dhe M. hynë në një furrë buke – në bisedë e sipër dhe që aty e kuptuan për herë të parë realitetin: nuk kishte askush tjetër që po mendonte të shkonte në Beograd. As edhe një!
Pas një akomodimi të shpejtë në një nga hotelet e pakta të qytetit, dyshja shkon në një vend të njohur – kafiterinë “Kombinati”. Aty takohen me disa të rinj preshevarë, të cilët – disi të habitur – kuptojnë se para tyre qëndronte dikush që po përgatitej për Beograd. Për një moment, edhe ata u entuziazmuan. Por entuziazmi i tyre do të zbehej shpejt – për të organizuar thjesht një ndjekje të ndeshjes në… “Kombinat”. Aty po ashtu u kuptua se as që bëhej fjalë të gjindej ndonjë biletë për stadium, megjithëse kishte shpresë se mund të gjindeshin në Preshevë.
Qëllimi i Do. dhe M. nuk ishte të gjenin ndonjë tifoz tjetër që do të shkonte. Por dëshpërimi ishte i thellë – sepse nuk po shihnin askënd tjetër të interesuar për ta ndjekur ndeshjen nga afër. Qëllimi i tyre i vetëm ishte të gjenin një taksist shqiptar – por jo me targa të Bujanocit (që përfshinte edhe Preshevën), sepse aty dominonin shqiptarët dhe policia serbe mund të kishte vëmendje më të madhe. Për të kaluar pa ndaluar e pa u hetuar, duhej një veturë me ngasës shqiptar por me targa të Vranjës – një qytet më në veri, me popullsi kryesisht serbe.
Në mesin e të rinjve preshevarë u veçua një gazetar me inicialin V. Ai premtoi se të nesërmen do t’i gjente taksistin që kërkonin.
Gëzimi!
Lodhje. Pagjumësi. Ankth. Zgjim i hershëm. Pyetja që nuk e linte Do. të qetë: A do të mbërrinte De.? Pa të, plani nuk kishte kuptim. Kishin bërë plane, skenarë, ide. Gjithçka duhej bërë bashkë.
Plani për ta kontrolluar stacionin çdo orë u tregua i suksesshëm që në herën e parë. De. kishte mbërritur, falë ndihmës së një shoku të tij kumanovar që banonte në Shkup – Va.

“Kombinati”!
Në kafiteri kishte filluar të ndihej atmosfera e ndeshjes së mbrëmjes. Por, koha po ikte dhe V. po vonohej me sigurimin e taksistit. Do. ishte drejt eskalimit. Çdo vonesë i dukej si pengesë e radhës. Tensioni u ngrit. Por aty ishte gjithmonë De. për të qetësuar gjendjen. Dhe, bashkë me vendasin V., më në fund, u nisën drejt shtëpisë së taksistit me inicialet B.
Më në fund! Me një veturë të vogël, të ngushtë, të vjetër – por me një qëllim të madh. Edhe V. kishte shprehur dëshirë të shkonte bashkë me ta. Deri në Beograd.
Pjesa e tretë, 14 tetor 2014: Serbi – Shqipëri, Bisedë me nacionalistin, Bylbyl Sokoli